Fondi Monetar Ndërkombëtar tha të mërkurën se e nxitur nga shkalla e përmirësuar e vaksinimit, rivendosja e lirisë së lëvizjes, veprimet politike dhe mbështetja e jashtëzakonshme nga diaspora, ekonomia e Kosovës po ripërtërihet nga recesioni i saj më i thellë në një dekadë.
Në raportin për Kosovën thuhet se pas tkurrjes prej 5.3% në vitin 2020, Bruto Prodhimi i Brendshëm (GDP) real parashikohet të jetë rritur me 7.5% në vitin 2021. Përgjigja fiskale ndaj pandemisë siguroi rrugë shpëtimi për familjet dhe kompanitë dhe zbuti ndikimin e goditjes tek ata që u prekën më shumë nga pandemia.
Fondi thekson se politika fiskale u vu në një pozicion pothuajse të balancuar në vitin 2021 nga një deficit prej afërsisht 8% të GDP-së në vitin 2020.
Raporti thekson se vështirësitë ekonomike u kompensuan më shumë nga të hyrat e jashtëzakonshme nga diaspora dhe rritjet e qëndrueshme të kredive për sektorin privat. Inflacioni në vitin 2021 duket të jetë rritur në më shumë se 5% për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Me rezerva të kapitalit dhe likuiditetit si dhe shkallë të ultë të kredive me probleme, sektori bankar ka qenë i qëndrueshëm në përgjithësi, thuhet në raport.
Aktiviteti ekonomik parashihet të rritet me 3.8% në vitin 2022, i nxitur pjesërisht nga ‘momentumi’ i fortë ekonomik në vitin 2021, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se pandemia vazhdon të paraqesë rrezikun kryesor, por pasojat e saj tani pritet të jenë më të pakta, pasi të hyrat nga diaspora qenë më të mëdha sesa pritej.
Politikat strukturore, përfshirë luftimin e informalitetit dhe krijimin e kushteve për ekonomi të gjelbër, mund të zbusin efektet afatgjata të pandemisë.
Në raport kërkohet forcimi i transparencës së shpenzimeve dhe përcaktim më i mirë i veprimeve të synuara të politikave në kuadër të “Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike” dhe ligji i ri për pagat publike duhet të përmbajë faturën e pagave brenda kufirit ligjor. Rreziqe të tjera fiskale përfshijnë rishikimin e vazhdueshëm të ligjit për pagat dhe rregullimin e çështjes së përfitimeve të veteranëve të luftës, të cilat vazhdojnë të shkelin kufirin ligjor prej 0.7% të GDP-së.
Fondi mes tjerash thekson se ndër përparësitë fiskale afatmesme duhet të jenë zgjerimi i bazës tatimore dhe forcimi i transparencës fiskale, ndërsa të ardhurat e paplanifikuara të siguruara nga diaspora duhet të përdoren për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës sociale dhe ekonomike.
Në raport theksohet se të hyrat nga diaspora nuk mund të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike dhe se shtimi i burimeve të kësaj rritjeje, kërkon përmirësimin e infrastrukturës, menaxhimin e investimeve publike dhe që sistemi arsimor të përshtatet me nevojat e ekonomisë, raporton VOA.
Synimet e Kosovës për të reduktuar emetimet e karbonit janë të lavdërueshme, thuhet mes tjerash në raport në të cilin nënvizohet se përparësi është instalimi i filtrave në termocentralet me bazë linjiti në bashkëpunim me BE-në.