Bashkimi Evropian nuk do të negociojë me autoritetet ruse për fatin e Ukrainës për sa kohë që Moska po grumbullon trupa në kufirin e vendit.
Deklarata erdhi nga shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm të BE-së të enjten.
“Lëvizjet ruse janë pjesë e presionit,” tha Borrell, duke këmbëngulur se “nuk duhet të ketë negociata nën presion”.
“Nuk do të merret asnjë vendim sot, sepse ky është një takim jozyrtar”, shtoi ai.
Takimi vjen pas negociatave të tensionuara midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Gjenevë të hënën.
“Ne kemi marrë garanci se asgjë nuk do të vendoset dhe as nuk do të negociohet pa evropianët dhe koordinimi me amerikanët është absolutisht i shkëlqyer”, tha Borrell.
Washingtoni dhe aleatët e tij kanë akuzuar Rusinë për planifikimin e një pushtimi pasi vendosi rreth 100 mijë trupa në disa zona përgjatë kufirit të Ukrainës.
Ky veprim ka ngjallur frikën për një përsëritje të vitit 2014, kur Moska pushtoi gadishullin e Krimesë dhe një kryengritje pro-ruse shpërtheu në Ukrainën lindore që ka marrë më shumë se 13 mijë jetë, shkruan Trtworld.
Ndërsa tensionet janë rritur, Rusia ka kërkuar gjithashtu që NATO të mos pranojë anëtarë të rinj, përfshirë Ukrainën, transmeton Klankosova.tv.
Moska ka kërkuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të ndalohen nga krijimi i bazave të reja në ish-republikat sovjetike.