Koreja Veriore thotë se ka kryer një test tjetër të raketës hipersonike, nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të saj, Kim Jong.
Mediet shtetërore thanë se raketa e hedhur të martën ka bërë një kthim të suksesshëm para se ta godiste cakun në det, rreth 1.000 kilometra larg.
Kjo është hera e 3-të që raportohet për testim të raketës hipersonike nga Koreja Veriore brenda pak ditëve. Raketat hipersonike mund të mos vërehen për një periudhë më të gjatë se raketat balistike.
Testimi i ri ndodhi në kohën kur gjashtë shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën e dënuan testimin e kryer javën e kaluar, duke i bërë thirrje Koresë Veriore që t’i ndalojë “veprimet destabilizuese” në rajon, shkruan BBC.
Ushtria e Koresë Jugore fillimisht i minimizoi pretendimet për raketë hipersonike, por më vonë tha se testimi paraqiti përmirësim nga testet e kaluara, transmeton Gazeta Express.
Koreja Veriore i është bashkuar një numri të vogël shtetet, përfshirë SHBA-në dhe Kinën, në përpjekjet për të zhvilluar raketa hipersonike. Këto raketa mund të fluturojnë me shpejtësi mbi pesë herë më të lartë se shpejtësia e zërit, duke i bërë më të vështira për t’u vërejtur dhe për t’u penguar.