Lëvizja Vetëvendosje, dega në Dragash, ka bërë të ditur se nuk do të jenë të përfshirë në ekzekutivin komunal të kësaj komune, përcjell InLajmi.
Sipas njoftimit të tyre, koalicioni me LDK-në është prishur.
Arsyeja e prishjes së koalicionit ishte sepse, kjo degë u ka thënë qartazi se nuk e kanë seriozisht ndryshimin në këtë komunë.
“Meqë dega e LDK-së në Sharr nuk e ka seriozisht ndryshimin dhe shenjë për këtë është shkelja mbi parimet e marrëveshjes që mundësoi ndërrimin e qeverisjes në komunë, nuk ka më kuptim që si Lëvizje VETËVENDOSJE! të përfshihemi në një ekzekutiv të tillë komunal”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i Lëvizjes vetëvendosje, Qendra në Sharr:
Si qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, në balotazhin e 14 nëntorit, vendosëm që të kontribuojmë për ndryshimin që i duhej komunës tonë. Në suaza të kësaj, me partinë fituese të zgjedhjeve, LDK-në, kemi nënshkruar një marrëveshje koalicioni e cila fokusin themelor e ka tek parimet e qeverisjes.
Dega e LDK-së në Sharr, përmes takimeve zhvilluar sëfundmi, përfshirë krerët e saj, e përgjatë ditës së djeshme edhe me kryetarin e komunës, na e thanë qartazi që nuk e kanë seriozisht ndryshimin në komunë, duke mos respektuar marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Ne jemi të bindur që vendimi ynë për ta dërguar PDK-në në opozitë ka qenë i duhur, i drejtë dhe mëse i nevojshëm. Ashtu sikurëse jemi të bindur që ndryshimi në komunë duhet të jetë substancial e përmbajtësor.
Meqë dega e LDK-së në Sharr nuk e ka seriozisht ndryshimin dhe shenjë për këtë është shkelja mbi parimet e marrëveshjes që mundësoi ndërrimin e qeverisjes në komunë, nuk ka më kuptim që si Lëvizje VETËVENDOSJE! të përfshihemi në një ekzekutiv të tillë komunal.
Jo se prisnim shumë më ndryshe, por mbështetja jonë, më shumë se sa për fitoren e LDK-së ishte përmbushje e një obligimi ndaj më shumë se 2.300 votuesëve të cilët na deleguan përgjegjësi përtej së qëndruarit neutral në periudhën e balotazhit.
Ka shumë punë për ta arritur ndryshimin e vërtetë në komunën tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Sharr do të jetë në opozitë përgjatë 4 viteve të ardhshme, duke mbrojtur interesin publik e duke përcjellur me vëmendje secilin hap që do ndjekë qeverisja aktuale./InLajmi/