2 burra kanë vdekur në rajonin Queensland të Australisë, ndërsa disa komunitete kanë mbetur të izoluara pas reshjeve të dendura të shiut, që shkaktuan vërshime.
Policia tha se trupi i një burri 52-vjeçar u gjet të martën disa orë pasi ishte zhdukur, kur barka e tij ishte përmbytur në ujërat e vërshimeve përderisa po i kërkonte kafshët bashkë me 2 familjarë.
2 familjarët ia dolën që të arrinin në një vend të sigurt, por burri u bë viktima e 2-të e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e Ciklonit Seth.
Trupi i një 22-vjeçari u gjet të shtunën në një vend tjetër, ndërsa policia është e shqetësuar për një vajzë 14-vjeçare, e cila është zhdukur që 3 ditë, shkruan Daily Mail.
Policia, zhytësit dhe vullnetarët, të ndihmuar nga helikopterët, janë duke kërkuar shenja të adoleshentes, por zyrtarja policore, Katarina Carroll, tha se operacioni i kërkimit mund të zvogëlohet, transmeton Gazeta Express.
“Kemi ekspertë që na këshillojnë për këtë, se njerëzit mund të mbijetojnë vetëm disa ditë të caktuara”, tha ajo të martën para gazetarëve.