Edhe pse në Klinikën e Onkologjisë pacientëve të prekur me sëmundje kancerogjene ju ofrohet trajtim dhe përkujdesje maksimale nga doktorët dhe infermierët, prania e psikologëve aty është shumë e domosdoshme, shkruan InLajmi.
Kjo për faktin se kumtimi i diagnozës për një të sëmurë me kancer, sikurse edhe për familjarët se një anëtar i familjes së tyre është me kancer është shumë e vështirë, gjegjësisht vështirë e pranueshme.
Lidhur me këtë për Gazetën InLajmi, qytetarja Afërdita K. kujton fillimin kur ajo u diagnostifikua me kancer.
“Ka qenë shumë e vështirë, e papranueshme në fillim mund të them lirisht. Unë mundohesha të arsyetohem deri diku, sepse kjo mund t’i ndodhë çdokujt edhe e merrja veten për një kohë të caktuar. E unë në fillim as që kam dashur me marrë terapi e as të shërohem . Thjesht e kam pa fundin me sytë e mi”,thotë kjo qytetare.
Por, sipas kësaj qytetare, gjendjen shumë të vështirë emocionale e ka pasur edhe bashkëshorti i saj.
“Me javë të tëra ai ka qenë në një “shokë emocional”. Në Onkologji, pacientët trajtohen në mënyrën më të mirë nga doktorët e infermierët, por mendoj shumë se është e domosdoshme të ketë psikologë. Psikologët duhet të trajtojnë rastet më kritike, por edhe familjarët e atyre që diagnostifikohen me kancer”,tha kjo qytetare.
Se prania e psikologëve në Klinikën e Onkologjisë është shumë e domosdoshme e thotë edhe drejtori i kësaj Klinike, Ilir Kurtishi në një intervistë për Gazetën InLajmi.
“Një psikologe e kemi, por është e pamjaftueshme. Ajo ka qenë në pushim të lindjes dhe pacientët tanë janë trajtuar nga psikologët e klinikave tjera. Psikologët do duhej t’i trajtonin rastet jo vetëm të pacientëve por edhe të familjarëve. Edhe pse ne si mjek e luajmë rolin e psikologut prapë se prapë duhet të plotësohet edhe me terapi intensive sepse për fat tonin të keq, ne jemi personat e parë që ua kumtojmë lajmin për sëmundjen. Ne gjithmonë tentojmë të japim lajmin në mënyrën më të mirë që pacienti të jetë sa më i qetë”,thotë Kurtishi.
Por Kurtishi thotë se ka raste kur njëri nga familjarët heziton t’i tregojë menjëherë familjarit që është diagnostifikuar me kancer sepse ndodh që e refuzon mjekimin.
E kjo sipas tij e vështirëson punën.
“Kemi pas edhe kësi lloj raste kur nuk ka pranuar pacienti të trajtohet me terapi. Por shumica nga pacientët tanë janë të vetëdijshëm sepse lexojnë çfarë problemi kanë dhe çfarë i pret gjatë trajtimit. Kemi edhe lajme të mira kur pas mjekimit intensiv pacientit ua kumtojmë lajmin se sëmundja është zhdukur dhe për momentin mund të bëjë jetë normale”,shtoi Kurtishi.
Po ashtu Kurtishi ritheksoi se kanë bërë kërkesë disa herë që të kenë psikologë në këtë klinikë, pasi që një që e kanë është e pamjaftueshme për shkak të numrit të madh të të prekurve me kancer.
Nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), për Gazetën InLajmi lidhur me këtë çështje kanë njoftuar se psikologë ka jo vetëm Klinika e Onkologjisë, por edhe disa klinika të tjera në QKUK.
“Klinika e Onkologjisë sipas nevojës mund të thërras në konsultim edhe psikologë të klinikave të tjera, sikurse ftohen edhe mjekë specialistë të klinikave tjera për konsultime”,bëjnë me dije nga SHSKUK.
Në anën tjetër psikologu Ylli Avdijaj për Gazetën InLajmi tha se roli i psikologut, psikoterapistit dhe punonjësve të shëndetit mendor është shumë i rëndësishëm nëpër institucionet tona, e veçanërisht në institucionet e shëndetësisë.
“Pasi që në këtë të fundit, angazhimi kryesorë është puna me pacient të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme! Përveç trajtimit mjekësor që marrin këta pacientë, jo rrallë herë ndodhë që të kenë nevojë edhe për ndërhyrje psikoterapeutike, në dhënien e mbështetjes psiko-emocionale. Pra, psikologu është profesionisti i cili ndihmon në parapërgatitjen dhe në lehtësimin e gjendjes nëpër të cilën po kalon pacienti, e sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje më të rënda”,tha psikologu Avdijaj.
Edhe psikologu, Dorjan Krasniqi thotë se prania e psikologëve është e domosdoshme jo vetëm në Klinikën e Onkologjisë por edhe në shumë institucione të tjera.
“Fatkeqësisht mungesa e psikologëve nuk është veç në Klinikën e Onkologjisë por edhe në shumicën e institucioneve ku do duhej të jepnin kontributin e tyre psikologët dhe psikoterapeutët. Mendoj se Klinika e Onkologjisë duhet të jetë njëra nga institucionet ku psikologët duhet të jenë aty dhe rolin e tyre ta dinë mirë, pra që janë të specifikuar me edukim dhe trajnime të ndryshme të cilët i bëjnë ata më të suksesshëm me pacientë, normalisht se për secilën natyrë të punës duhet të trajtohen”,tha Krasniqi.
Sipas tij, roli i psikologut është shumë i duhur në rrethanat që janë në Klinikën e Onkologjisë.
“Psikologu duhet të punojë edhe me familjarin e pacientit, të përgatisë rrethin si duhet të sillet, të punojë me pacientin. Derisa po rritet numri i pacientëve në atë klinikë, duhet të rritet edhe numri i psikologëve”,tha ai.
Lindita Canolli Fejzullahi /InLajmi/