Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, raporton InLajmi.
Në këtë seancë ka nisur të bëhet paraqitja e provave në rastin e Nasim Haradinaj.
Haradinaj i është përgjigjur pyetjeve lidhur me arrestimin e tij në vitin 1981.
“Në vitin 1981 jam arrestuar. Si i ri jam arrestuar me babanë, motrën. Bile motra ime ka qenë veç 15 vjeçe. Jemi arrestuar veç kemi kërkuar të drejtën për liri. Në vitin 1981 kishin shpërthyer demosratat në Kosovë. Kemi vuajtur në burgjet më të famkeqe edhe pse kam qenë i mitur, më kanë dërguar në Nish e Leskoc. Jo vetëm gjatë hetuesisë por edhe në burg pas dënimit gardianët kanë përdorur tortura gjatë këtyre viteve sa e kam mbajt burgun”,tha Haradinaj, teksa derisa fliste për burgimin e familjarëve, kishte sytë e mbushur me lot.
Më tej Hardinaj gjatë marrjes në pyetje ritheksoi se familjes së tij i është ndaluar shkollimi, edhe pse në atë kohë ata që ndalonin fëmijët nga shkolla denoheshin.
“Nëse shkonim në shkollë dënoheshim, neve na është ndaluar e për punësim as që bëhet pyetje . Vazhdimisht kam qenë i observuar nga shërbimi sekret serb”,thotë Haradinaj /InLajmi/