Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, raporton InLajmi.
Osmani ka thënë se Hovenier është shumë i afërt me Republikën e Kosovës deh se ai i din mirë dinamikat e vendit tonë.
“Kam kënaqësinë e veçantë që sot t’ua prezantoj ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Jeff Hovenier. Në një kohë shumë të rëndësishme për të 2 vendet tona, si në rrafshin individual, e po ashtu në rrafshin bilateral, është kënaqësi ta mirëpres sot në Prishtinë një person si ambasadori Hovenier, i cili është shumë i afërt me Republikën e Kosovës sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë”, tha Osmani.
Ajo tha se Kosova është e bekuar që e ka SHBA-në pranë.
Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në tetor të vitit të kaluar, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.
Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden./InLajmi/