Në Greqi mbrëmë ka ndodhur një tërmet me magnitudë 5.5 në veriperëndim të Florinës, derisa u dëgjua edhe në 7 vende të tjera e në mesin e tyre edhe në Kosovë, shkruan InLajmi.
Ky tërmet u ndje 119 kilometra në juglindje të Elbasanit në Shqipëri dhe 133 kilometra në Maqedoni e Veriut, gjegjësisht në Shkup, derisa u ndje edhe në disa qytete të Kosovës.
I pyetur se nga tërmetet që janë shpeshtuar në vendet përreth a a mund të dihet se a është e rrezikuar edhe Kosova, Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik të Kosovës në një prononcim për Gazetën InLajmi, dha këtë përgjigje.
“Territori i Kosovës në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv. Të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve të forta në disa pjesë të territorit të Kosovës kanë qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluarën, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik relativisht të lartë”,tha Mustafa për Gazetën InLajmi.
Brenda 50 viteve, bazuar në hartën e rrezikut sizmik për Kosovën, pritet të ketë një tërmet me magnitudë deri në 6.0 shkallë të riterit.
“Bazuar në hartën e rrezikut sizmik për Kosovë që jap disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike, sipas hartës së rrezikut sizmik për një periudhë kthyese. Rreth 50 vite më vonë mund të ndodhë një tërmet me magnitud deri 6.0 shkallë të riterit, kurse për një periudhë kthyese 100 vite mund të ndodhë një termet me magnitud deri 6.1-6.5 shkallë të riterit”,tha tutje Mustafa.
Kështu që në këtë fuqi të tërmetit, pra me këto shkallë të rihterit, sipas Mustafës, quhet si tërmet i fuqishëm.
I pyetur se cilat janë zonat më të rrezikuara në Kosovë, apo me aktivitet sizmik më të lartë, Mustafa ka thënë se janë 3.
“Në territorin e Kosovës janë 3 zona me aktivitet sizmik më të lartë. Zona Istog – Pejë – Prizren, Zona Ferizaj –Viti – Gjilan dhe Zona e Leposaviqit, pra pjesën veriore të Kosovës”,njoftoi Mustafa. /InLajmi/