Shefja e Grupit Parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar në lidhje me rastin e vrasjes së Lirije Qerimajt nga burri i saj në Llaushë të Skenderajt, përcjell InLajmi.
Kusari-Lila ka shkruar se sistemi i drejtësisë dhe sigurisë në vendin tonë po dështon të ofrojë mbrojtje dhe siguri për viktimat e dhunës në familje.
Ajo ka deklaruar se viti 2022 filloi me vrasjen e një gruaje, nëne e cila kishte kërkuar ndihmë e që ndihmë nuk mori.
Tutje ajo ka thënë se nuk duhet të bëhet asnjë tolerim për personat dhunues e as për ata që e lejojnë që këta dhunues të arrijnë deri tek akti i vrasjes.
‘’ASNJË tolerim nuk duhet të bëhet jo vetëm për dhunuesit, por edhe për ata që lejojnë dhunuesit të arrijnë tek akti i vrasjes, përkundër që viktimat paralajmëruan organet e rendit. Nëse nuk ngritet sistemi i alarmit në të kuqen dhe nëse nuk ndërmerren masat të forcohet sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje, si shoqëri dhe institucione kot do të mbetemi duke reaguar, sepse për shumë gra e vajza do të jetë tepër vonë!’’, shkruan ajo.
Postimi i plotë i saj:
Një sistem është i fortë sa hallka e tij më e dobët!
Ky do të jetë portretizimi më i thjeshtë i sistemit tonë të drejtësisë në mbrojtjen e viktimave nga dhuna sistematike ndaj vajzave dhe grave.
Në të gjitha rrethanat e përfundimit të kësaj dhune me vrasjen e gruas, partneres së dorasit, ekziston në sistem hallka e cila si rrjedhojë e mosfunksionimit të mirëfilltë të saj, dështon të kryejë rolin e vet, ta mbrojë viktimen para se ajo të bëhet tashmë e ndjerë.
Vendimet e Gjykatave për dhunuesit pas shumë viteve të ngjarjes aktuale, disa 8 apo 10 vite, nuk janë asgjë më shumë se defektet sistematike të sistemit gjyqësor të Kosovës në trajtimin e rasteve, të cilat pastaj edhe me aktgjykim marrin dënimin minimal e përmbajnë gjuhë ofenduese e fyese për viktimat.
Sistemi ynë i sigurisë dhe drejtësisë, në vazhdimësi po dështon të ofrojë siguri dhe mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe të shqiptojë sanksionet e duhura për dhunuesit.
Sisemi ynë i drejtësisë dhe personat që shërbejnë në të, po dështojnë sistematikisht të ngriten mbi normat konvencionale të shoqërisë patriarkale, sipas së cilës, vajza është e përdalë nëse shoqërohet me djem të cilët pastaj (“me të drejtë”: sipas aktgjykimeve të shkruara) e abuzojnë atë.
Apo, gruaja duhet të durojë/falë dhunën e ushtruar mbi të se ajo është tashmë e dhënë një burri për të krijuar familje, ndërsa dhuna është çmimi që ajo duhet ta paguajë për të ruajtur familjen.
Në pothuajse të gjitha rastet e përfundimit të dhunës me vrasjen e gruas, ka shenja, dokumente dhe emra të personave në sistemin tonë të drejtësisë të cilët kanë dështuar të ofrojnë siguri apo ndajnë drejtësi para se të ndodhë më e keqja.
Viti 2022 filloi me vrasjen e një gruaje, nëne, e cila iu kishte drejtuar sistemit për ndihmë, por ndihmë nuk kishte marrë. Ajo mori plumbat nga burri, ndërsa ne të tjerët mbetemi duke numëruar gabimet e sistemit.
ASNJË tolerim nuk duhet të bëhet jo vetëm për dhunuesit, por edhe për ata që lejojnë dhunuesit të arrijnë tek akti i vrasjes, përkundër që viktimat paralajmëruan organet e rendit. Nëse nuk ngritet sistemi i alarmit në të kuqen dhe nëse nuk ndërmerren masat të forcohet sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna në familje, si shoqëri dhe institucione kot do të mbetemi duke reaguar, sepse për shumë gra e vajza do të jetë tepër vonë!/InLajmi/