Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste nesër para selisë së Partisë Demokratike.
Tubimi i parashikuar të shtunën në orën 12:00 ka si synim marrjen e zyrave të selisë së PD pas shkarkimit të Lulzim Bashës si kryetar nga Këshilli Kombëtar i thirrur me firmat e Berishës.
Ndërsa dyert e selisë së PD janë blinduar me struktura metalike prej disa ditësh, një gjë e tillë ka ndodhur edhe me hyrjen kryesore të Kryeministrisë mbrëmjen e së premtes.
Pamje nga kryeministria tregojnë se janë vendosur mbrojtëse metalike në hyrjen përballë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ndonëse nuk është lajmëruar një marshim drejt kryeministrisë, autoritetet duket se i druhen një skenari të tillë.
Ambasada Amerikane në Tiranë në një reagim për protestën që do të mbahet nesër para selisë së Partisë Demokratike, u bën thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin çdo tubim.
Në një dalje për mediat para selisë së PD, ish-kryeministri Berisha bëri thirrje për protestë paqësore duke shtuar se gjatë ditës së shtunë do të merret në dorëzim selia e PD, përcjell Euronews.
Kreu i PD, Lulzim Basha në një deklarate për mediat tha se protesta e thirrur nga Berisha është kundër demokratëve dhe SHBA.