Ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati ka thënë se e konsideron si veprim të duhur ndalimin e kriptovalutave për shkak të kursimit të energjisë elektrike, raporton InLajmi.
Këtë e ka thënë ministri Murati në konferencën e mbajtur lidhur me mbarëvajtjen e punëve gjatë vitit 2021 në Doganën e Kosovës.
“Vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave është marrë nga Komiteti që është krijuar, po ashtu duhet kujtuar se e kemi miratuar në Qeveri vendimin për masat emergjente për energjinë elektrike. Konsideroj se është vendim i duhur marrë parasysh krizën që ka kapluar gjithë kontinentin e më gjerë ku bëjmë pjesë edhe ne”,tha ministri Murati.
Tutje ministri Murati ka thënë se një vendim i tillë është dashur të merret, për të vetmin qëllim për të mbrojtur xhepin e qytetarëve.
“Ne si shtet e kemi subvencionuar një pjesë që qytetarët mos të kenë reduktime. Ka qenë e nevojshme të kufizohet përkohësisht mihja apo prodhimi i kriptovalutave që të kursejmë xhepat e qytetarëve për përfitim të disave”,ka njoftuar Murati. /InLajmi/