Lëvizja Vetëvendosje me Qendër në Prishtinë ka bërë të ditur sot se do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, ku pritet të zgjedhet Kryesuesi i këtij Kuvendi, përcjell InLajmi.
Sipas njoftimit të tyre, thuhet se si Lëvizje nuk do ta bllokojnë këtë proces, po se as nuk do të bëjnë koalicion me subjektet e tjera.
Ndërkaq ata e konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre duke thënë se do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ishte në një garë të ngushtë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet komunale 2021, e që fitues doli Përparim Rama nga partia e fundit në fjalë.
Kurse për jo shumë vota larg këtë garë e humbi kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia nga LVV.
Njoftimi i plotë nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë:
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të marrë pjesë sot në seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, ku pritet të zgjedhet Kryesuesi i këtij Kuvendi.
Edhe pse subjekti më i madh dhe me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryesues, LVV nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ja kalon radhën subjekteve që bashkërisht i fituan zgjedhjet në Kryeqytet me 14 nëntor.
Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të jetë bllokuese e proceseve, por as nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera. E, megjithatë ne do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit.
Mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, edhe ashtu të vonuar, të Kuvendit Komunal./InLajmi/




















