Vrasja që ndodhi kohë më parë në Gllogjan të Deçanit, gjegjësisht sulmi në një autobus i cili ishte i mbushur me udhëtarë la të vdekur 3 persona, në mesin e tyre një shofer të autobusit dhe 2 nxënës të shkollës së mesme, pastaj vrasjet në mes të familjarëve, në theks të veçantë çifteve që tashmë janë shpeshtuar në vendin tonë, janë shndërruar në fenomene të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen dhe shoqërinë në përgjithësi, shkruan InLajmi.
Nga Policia e Kosovës thonë se rastet e vrasjeve po i trajtojnë duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për procedim të rasteve në organet e drejtësisë. Statistikat për vrasjet në vitet e fundit e deri në muajin gusht të vitit 2021 janë shqetësuese dhe nuk është se kanë shënuar rënie ku mund të themi se fenomeni i vrasjeve po zvogëlohet.
Në vitin 2018 në Kosovë janë shënuar 34 vrasje, në 2019-ën 20 vrasje, në 2020 kanë qenë 27 vrasje, derisa në vitin 2021, gjegjësisht nga muaji janar-gusht kanë qenë 19 vrasje. Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në pyetjet e dërguar nga Gazeta InLajmi për numrin e vrasjeve.
“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalimin e vrasjeve qoftë përmes operacioneve policore, për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesimin për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla”,deklarohen nga Policia e Kosovës.
Këto raste sipas Policisë në përgjithësi janë shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë.
“Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh”,njoftojnë nga Policia.
E për sociologun Ferdi Kamberi fenomeni i vrasjeve në Kosovë është fenomen shqetësues, derisa bart në vete një mori pasojash.
“Disa nga shkaqet e vrasjeve në Kosovë janë periudha e tejzgjatur e tranzicionit e cila ka prodhuar edhe një krizë të vlerave dhe kjo e fundit apriori ka prodhuar një krizë të identitetit, pastaj shpërfaqja e konflikteve ndër – personale në mes të individëve ose grupeve me prapavijë kriminale, shpërfaqja e konflikteve ndër personale në mes të individëve për motive të ulëta siç janë sharje, fyerje, ngacmime”,deklaroi për Gazetën InLajmi, Kamberi.
Edhe fenomeni i gjakmarrjes si formë e hakmarrjes e cila ka përcjellë shoqërinë shqiptare qysh herët ende po vazhdon të jetë prezentë, thotë sociologu.
“Afekti, xhelozia, depresioni kronik, stresi postraumatik edhe këto janë shkaktarët”,tha më tej ai.
Faktori tjetër gjegjësisht që i shtyn vrasjet sipas Kamberit janë edhe numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, pastaj faktorët socio -ekonomik si borgjet, fajdetë ose konfliktet për gjëra të tilla.
Ndërsa në kontekstin sociologjik, sipas Kamberit vrasjet gjithashtu ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe të sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve.
“Rritja e këtij fenomeni, padyshim se paraqet një problem gjithë shoqëror për shkak se përveç që bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to, izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimin publik, ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre”,theksoi sociologu Kamberi.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se janë disa faktorë që qojnë deri te vrasjet.
“Gjendja ekonomike edhe sociale, janë disa nga faktorët që ndikon në rritjen e numrit të vrasjeve. Janë disa forma të vrasjeve, si vrasjet në familje, vrasja në mes të çifteve. Kur ka probleme ekonomike e sociale lindin problemet që qojnë deri te vrasja”,tha Islami në një prononcim për Gazetën InLajmi.
E sipas tij në kohët e fundit kur u përhap pandemia në vendin tonë, izolimi, manifestimet brenda familjes është një nga faktorët që ka ndikuar të qojë deri te vrasja.
“Shqetësuese mbetet edhe vrasja në mes të çifteve. Shumicën e rasteve i lajmërojnë rastet e ndryshme të dhunës në familje por nuk merren parasysh siç duhet. E si pasojë e kësaj ndodhin shumë raste të vrasjeve, rast konkret po e përmendi njërin nga rastet, në Gjakovë ku bashkëshorti e vranë gruan dhe njërin nga fëmijët. Mos përgjegjësia e organeve përgjegjëse në kohë qon deri te vrasja”,theksoi Islami.
Një tjetër faktor që sipas tij mbetet shqetësuese është mos funksionimi i Policisë në komunitet, pastaj hyrja e keqbërësve në pronë private dhe vrasja e pronarëve të shtëpisë, siç ishte rasti së fundmi në Mitrovicë. Lindita Canolli-Fejzullahi /InLajmi/