Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka kujtuar ditëlindjen e shkrimtarit Anton Çetta, përcjell InLajmi.
Ajo e ka quajtur Çettën mendje të ndritur e zemër të bardhë të kombit tonë shqiptar.
‘’Ta kultivojmë çdo ditë trashigiminë që na e la’’, ka shkruar ajo.
Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920 dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë. Çetta ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur edhe për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë.
Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe.
Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Anton Çetta ishte shkrimtar, studiues e profesor, por në historinë shqiptare ai ka zënë një vend nderi edhe për kontributin e dhënë për pajtimin e gjaqeve.
Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.
Postimi i plotë i saj:
Me 3 Janar 1920 lindi Anton Çetta, mendja e ndritur e zemra e bardhë e kombit tonë.
Ta kultivojmë çdo ditë trashigiminë që na e la./InLajmi/