Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë një konferënce për media ka thënë nuk do të tolerohen abuzimet me fëmijët në institucionet edukative e arsimore, përcjell InLajmi.
Këto deklarata i ka dhënë ministrja Nagavci në konferencën përmbyllëse të këtij viti.
Tutje Nagavci ka thënë se një nga prioritet e kësaj ministrie është parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla. Sipas saj është duke u punuar në këtë drejtim dhe nuk do të tolerohen rate kur dikush abuzon më fëmijët në institucione.
“Sa i përket çështjes së kodit etik, janë disa raste me të cilat jemi marrë si raste individuale, referuar edhe rastet për ngacmime apo për dhunën që ka ndodhur ndaj fëmijëve, dhe kjo është një nga prioritetet tona, nuk do të tolerohet asnjë rast kur dikush abuzon me fëmijët në institucionet tona edukativo-arsimore. Në këtë drejtim do të punohet, ndonëse legjislacioni nuk është se nuk është i përcaktuar në këtë lëmi, por shumë herë ka pasur ngecje në implementimin e tij ose fshehje të rasteve të cilat deri në momentin kur janë bërë publik nga persona të ndryshëm të përfshirë në punë, në shkolla, janë munduar të mbahen si sekrete”,ka thënë ministrja Nagavci.
Tutje ajo ka bërë të ditur që shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar ka qenë më pak se 1% për periudhën 2020-2021, e kjo tha se i obligon të punojnë që të evitohet braktisja e shkollës.
“Në vitin 2020-2021 shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar, pra për klasat prej një deri në 9 ka qenë 0.05% pra më pak 1% por gjithsesi se kjo na obligon që të punojmë që të kemi plotësisht të evituar braktisjen edhe në këtë shkallë kaq të vogël edhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 190 vajza, kryesisht të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, në rrezik të braktisjes ose që e kanë braktisur shkollën me të cilat kemi punuar që të kthehen në shkollë duke ofruar edhe mundësi të motivimit, duke i pajisur me laptop përveç ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për vazhdimin e shkollimit”,ka thënë Nagavci. /InLajmi/