Ministrja e Arsimit Arberie Nagavci ka thënë se nëse rrezikohet shëndeti i nxënësve mësimi mund të mos fillojë në shkolla me 10 janar.
“Kemi skenarët që mësimi mund të zhvillohet nga distanca, i kombinuar por edhe në klasë. Uroj që me 10 janar të mos rrezikohet rikthimi i nxënësve në shkolla, kur edhe përfundojnë pushimet. Në rast se rrezikohet shëndeti i fëmijëve do të shqyrtohen edhe opsionet tjera”.
Nagavci në RTV Dukagjini thotë se mësimi online është zhvilluar në platforma të ndryshme dhe sipas saj mund të ketë pasur ngecje.
Megjithatë Ministrja e Arsimit thotë se teknologjia tashmë është pjesë integrale e mësimdhënies.
Ngavci i është kthyer përsëri temës së vlerësimit të përformancës së mësimdhënësve, ku sipas saj ky është një proces që duhet të ndodh.
“Unë asnjëherë nuk kam përmendur testim të mësimdhënësve, por vlerësimi i përformancës së tyre duhet të ndodh pasi është edhe me legjislacionin aktual. Vlerësimi do të ndodh në bazë të disa parametrave”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Ajo thotë se pavarësisht se ky proces ekziston prej disa viteve ai deri më tani është bërë vetëm formalisht.
“Ndoshta ministria ka pasur numër shumë të vogël të inspektorëve apo bashkëpunimi me menaxhmentin e shkollave ka qenë i mangët. Nuk e di nëse ndonjë mësimdhënës nuk ka mundur të kalojë vlerësimin e përformancës pasi ka qenë proces shumë formal”.
Megjithatë Nagavci paralajmëron se situata do të ndryshojë.
“Ne do të krijojmë grupet tona punuese përfshirë zyrtarët komunal, mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollave, persona që kanë punuar në këtë fushë dhe do të diskutohen të gjitha format e mundshme në mënyrë që vlerësimi i përformancës të përmirësoj performancën”.
Nagavci thotë se edhe të vlerësimi apo testime ka probleme pasi sipas saj diplomat për mësimdhënësit i kanë dhënë profesorët universitar.
“Veprimet tona duhet të jenë në të gjitha nivelet dhe të bëhen në të gjitha lëndët. Pos aspektit profesional duhet të vlerësohen edhe në aspektin didaktik apo mënyra e sjelljes me nxënës”, deklaroi tutje Arberie Nagavci.