Shumë banorë të Gjermanisë, të cilëve nuk u lejohet të blejnë fishekzjarrë në vend para festimeve të Vitit të Ri, po shkojnë në turma përtej kufirit drejt dyqaneve polake.
Ndalimi i fishekzjarrëve u njoftua këtë muaj, për të 2-tin vit radhazi, në përpjekje për të parandaluar grumbullimet e mëdha gjatë pandemisë dhe për të lehtësuar barrën e spitaleve, të cilët rregullisht duhet të trajtojnë lëndime të rënda si djegie dhe gjymtyrë të plagosur si pasojë e aksidenteve piroteknike.
Në një dyqan të fabrikës së fishekzjarrëve në Slubice, Poloni Perëndimore, afër kufirit gjerman, njerëzit që kishin udhëtuar nga e gjithë Gjermania thanë se po pritnin në radhë deri në 3 orë për të blerë fishekzjarrë, duke mbushur makinat dhe furgonët para festimeve.
Shumica e gjermanëve e mbështesin ndalimin e fishekzjarrëve. Sipas një sondazhi, 66% të të anketuarve ishin në favor të vendimit, ndërsa 27 % thanë se ishte i gabuar.
Industria piroteknike ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore, duke e quajtur të padrejtë që klientët u lejuan të sillnin fishekzjarrë nga jashtë dhe duke argumentuar se lëndimet serioze ishin “praktikisht të pamundura” nëse produktet përdoreshin siç specifikohet në udhëzime.
Prodhuesit gjermanë të fishekzjarrëve fitojnë rreth 95% të përfitimit vjetor prej rreth 200 milionë eurosh në 3 ditët para fillimit të vitit, kur zakonisht lejohen të shiten fishekzjarrët, raporton The Guardian.
Gjermania është tregu më i madh në Evropë, i barabartë me atë të SHBA-së, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, sasia e fishekzjarrëve të pashitur – rreth 30.000 tonë eksploziv – po rritet. Ato ruhen në rreth 30 vende të sigurisë së lartë në të gjithë vendin.