Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalosi disa nga kërkesat e tij për vitin ardhshëm.
Në konferencën e fundit për shtyp të 2021, Basha e cilësoi kryeministrin Rama si pengmbajtësin e Shqipërisë, ndërsa tha se nuk do të ndodhë asgjë në datën 5 janar, kur Berisha i ka lënë afat të dorëzojë zyrën.
Lulzim Basha shpalli 3 kërkesa të tij për vitin 2022. Në konferencën e fundvitit ai tha se vendit i duhet një reformë zgjedhore, vazhdimi i goditjeve të korrupsionit nga drejtësia dhe vetingu në politikë.
I pyetur nga Euronews Albania, Ardit Hoxha se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë ndaj 13 deputetëve demokratë të rreshtuar krah ish-kryeministrit Berisha, kryedemokrati Basha la të kuptohet se nuk do të ketë asnjë negociatë me të dhe se secili mban përgjegjësi vetë për vendimet e tij.
Ai paralajmëroi se të tjerë aktorë politikë do të shpallen ‘non grata’ nga SHBA, ndërsa u shpreh i sigurt se PD nuk do të përçahet.
“PD ka folur qartë, secili vendos vetë nga ata që janë ngarkuar me përgjegjësi nga demokratë se do të përgjigjen vendimeve të përbashkëta. Një gjë është e sigurt; PD-në, Rama s’do e ketë përballë si një parti të damkosur ‘non grata’ nga SHBA dhe grupi nga bashkoi non grata që do të zgjerohet me të tjerë. Përmes nxitjes së debatit, do të mundësojmë që PD t’i japë shumicës së shqiptarëve ndryshimin që kërkojnë”, tha Basha.