Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës është shfuqizuar vendimi i ish-Qeverisë së Ramush Haradinaj që në atë kohë i kishte vazhduar mandatin drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik, Fidaim Sahitit, raporton InLajmi.
Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë, e ka propozuar këtë vendimin, derisa ka thënë se ky vendim i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë në kundërshtim me ligjin.
“Propozojmë që të shfuqizohet vendimi nr. 03/117 i datës 22 janar 2020, sipas të cilit, Fidaim Sahitit i vazhdohet mandati i drejtorit të Përgjithshëm në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës edhe për 3 vite”, tha Rizvanolli.
Ndryshe, ky vendim sipas Rizvanollit është miratuar në kundërshtim me dispozitat e ligjit për shërbimin civil dhe aktet nënligjore. /InLajmi/