Ardian Kastrati, deputeti i Partisë Demokratike, ka thënë që Qeveria Kurti e ka sjellë terrin në Kosovë, raporton InLajmi.
Kastrati ju është drejtuar Qeverisë Kurti duke ju thënë se terrin nuk e gjetët mes jush, por e sollët ju terrin.
“Terrin nuk e gjetët mes jush, por e sollët ju terrin. Sot është situatë shumë e qartë. Ka terr dhe terrin nuk e gjetët mes jush por e sollët ju terrin, sepse nga 2008 e tutje s’ka pas reduktime. Ka pasur ndonjë avari, prishje por terrin e keni sjell ju, nuk e keni gjet mes jush, kjo është e sigurt”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së ka thënë se Qeveria është duke kukatur sikur bebet dhe se po fajëson qeveritë e kaluara për situatën e krijuar me rrymë.
“Bizneset janë me gjenerator, njerëzit vuajnë në të ftohtë. Ju kukatni. Jeni bërë Qeveri e kukamave sikur ato bebet ‘ve, ve çfarë keni bërë që 20 vjet, ve, ve që 20 vjet’. Në këtë situatë emergjente njerëzit kanë nevojë për zgjedhje”, deklaroi Kastrati.
Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria ka mundur që të kontraktojë rrymën qysh në muajt e verës.
“Keni mujt në verë me kontraktua blerjen e rrymës siç e kanë bërë qeveritë përreth. Keni dështuar në afatshkurtër, po dështoni në afatmesme. Jeni para një zgjedhje ose terr, ose me qajtë ‘ve, ve’, ose me e rritë çmimin e rrymës”, ka thënë ai.
Gjatë kësaj seance Adrian Kastrati ka folur edhe për Besnik Bislim duke ju drejtuar si një hipokrit i pakonkorueshëm.
“Përveç kësaj dini edhe për ato projektet afatgjate me një hipokrizi të pakonkurueshme dini t’ i arsyetoni se jo gazi amerikan nuk vjen as një litër, që i matke Besnik Bislimi që është një hipokrit i pakonkorueshëm, dhe dorën në zemër prej se ka ardhur ky këtu më nuk po i këqyri ‘Stupcat’ dhe i kërkojë falje Vedatit por ky po i bën shumë konkurrencë”, tha ai. /InLajmi/