Një burrë nga Sharlror në Belgjikë është arrestuar të dielën, pasi që kishte tentuar të marrë dozën e 9-të të vaksinës kundër koronavirusit.
Siç raportojnë mediat lokale, i arrestuari ishte vaksinuar me qëllim që të siguronte certifikata kundër Covid-19 për persona tjerë.
Thuhet se ai ishte lajmëruar nëpër qendrat e vaksinimit me letërnjoftimin që nuk ishte i tij, e personeli i qendrës së vaksinimit kur e kishte vërejtur këtë kishte alarmuar policinë.
Gjendja shëndetësore e personit të vaksinuar shumë herë është e mirë, por do të ngritet padi kundër tij për falsifikim së bashku me disa persona tjerë që e kishin paguar që të vaksinohet në emër të tyre.
Brussels Time raporton se “vullnetari” kishte “operuar” në shumë qendra të koronavirusit, dhe se ishte paguar nga 100 deri në 150 euro.
Ndaj tij dhe të tjerëve që e paguan për këto shërbime, pritet t’ju shqiptohet dënimi – e në rastin më të keq mund të përfundojnë me 5 vite burgim, përcjell Alsat.M.
Sikur kjo të mos mjaftonte, në ligj parashihet edhe dënimi prej 800 mijë euro për falsifikim dhe mashtrim përmes rrugëve të (teknologjisë informative).