Qeveria e Kosovës ka shpallur masa emergjente për kufizimin me energji, me një kohëzgjatje prej 60 ditësh, që nga hyrja në fuqi e vendimit të shpallur, përcjell InLajmi.
Sipas Qeverisë së Kosovës, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve me energji për konsumatorët si dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërrmarrjet e energjisë.
Gjithashtu në vendim theksohet se është krijuar edhe Komiteti Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve të Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas vendimit, ky komitet në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2017 mbi “Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente”, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, duke përfshirë: vendosjen e kufizimeve mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë; vendosjen e kushteve të veçanta komerciale; kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosjen e kushteve të veçanta për tregtimin e energjisë; te detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit; dhe të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar.
Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim theksohet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizën globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.
Sipas tyre këto vështirësi në furnizimin me energji elektrike kanë ardhur si pasojë e avarive të shkaktuara në gjeneratorët e termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” dhe njëkohësisht rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike. /InLajmi/