Kriza energjetike ka kapluar vendin tonë, sidomos kur gjendemi në stinën e dimrit dhe shumica e qytetarëve ngrohen me energji elektrike, shkruan InLajmi.
Analisti i njohur, Halil Matoshi lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazetën InLajmi ka bërë me dije se Qeveria Kurti nuk ka asnjë faj për krizën energjetike në rajon dhe Evropë. Por, sipas tij kjo Qeveri mbahet fajtore për mosplanifikim të menaxhimit të krizës së paralajmëruar që nga shtatori sikur vendet e rajonit, që nuk kanë ndërprerje.
“Qeveria po i akuzon Qeveritë e kaluara me gjithë faktin se në dekadën e fundit furnizimi me energji ishte stabil dhe nuk kishte ndërprerje të planifikuara energjie. Po ashtu Qeveria pa strategji dalëse dhe e vonuar në zënien e rendit në tregun energjetik po humb kohë duke u shtyrë me kundërshtarët madje duke i qortuar edhe qytetarët ‘se po shpenzojnë energji për komoditet’, në vend se të kërkojë ndihmë në rajon e më gjerë si dhe të gjejë mundësi blerjeje në tregun e lirë”, tha Matoshi për Gazetën InLajmi.
E vendimi i Qeverisë së fundmi për dhënien e 20 milionë eurove KOSTT-it, sipas tij do t’i ngarkojë qytetarët me pagesë të dyfishtë nga faktura dhe nga taksat.
“Dhënia e 20 milionëve eurove KOSST-it siç po thuhet, e jo KEDS-it siç po ndodh realisht (ose vetëm KEDS-i blen e energji) po i ngarkon qytetarët me pagesë të dyfishtë nga faktura dhe nga taksat. E vetmja gjë e mirë është pagesa prej 4.5 milionë euro per pagesën e fakturave të pensionistëve dhe kategorive sociale të rrezikuara”, tha për fund ai. Lindita Canolli-Fejzullahi /InLajmi/