Kuvendi i Serbisë, ka miratuar të enjten pasdite ligjin e ri për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në dokument përfshihet në mënyrë speciale Kosova, që në preambulën e Kushtetutës serbe prezantohet si krahinë autonome serbe.
“Vlerat arkitektonike, historike dhe përqendrimi i madh i objekteve të trashëgimisë fetare e kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë e bëjnë këtë territor unikat për trashëgiminë tonë kulturore dhe atë botërore” tha ministrja e kulturës së Serbisë, Maja Gojkoviq e cila prezantoi ligjin në fjalë në fillim të javës në Kuvend.
Nga Institucionet shtetërore të Kosovës ende nuk ka pasur reagime rreth ligjit të votuar në Beograd.
Kurse drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, tha se me veprime të tilla nga shteti serb po krijohen “paralelizma” në raport me prezantimin e trashëgimisë kulturore të vendit.
Tash e sa vjet Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës dhe Kisha në Prizren që serbët e quajnë Levishka, janë në listën e mbrojtjes së Unesco, përcjell Klan Kosova.
Objektet që janë në tokën e Kosovës, Organizata e OKB-së për shkencë, kulturë dhe edukim i mbron si trashëgimi serbe.