Më shumë se 20 persona u plagosën pasi 2 trena të metrosë u përplasën në kryeqytetin iranian Teheran, transmeton InLajmi.
Aksidenti ndodhi në Linjën 5 të metrosë së Teheranit në hekurudhën Karaj-Golshah, kur një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte për në stacionin Sadeqieh goditi një tren lokal, që lëvizte ngadalë pranë stacionit Chitgar.
Linja 5 e metrosë ka ndërprerë funksionimin pas incidentit.
Mojtaba Khaledi, zëdhënësi i shërbimeve kombëtare të emergjencës, tha se 22 persona kanë pësuar lëndime në incident dhe ambulancat që janë dërguar në vendin e aksidentit kanë transferuar 11 persona në spitalet e afërta.
2 prej të plagosurve janë në gjendje kritike. Ai shtoi se rreth 20 persona të tjerë kishin mbetur të ngecur në vagona, por u larguan nga punonjësit e shpëtimit, shkruan Iran international.
Kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Zakani tha se ka disa spekulime për shkakun e përplasjes, por nevojiten hetime të mëtejshme për të zbuluar saktësisht se si ndodhi.
Sipas Mojtaba Shafi’i, deputeti për transport në komunën e Teheranit, vagonët po hiqen nga hekurudha në mënyrë që linjat të funksionojnë sa më shpejt të jetë e mundur, duke sugjeruar që trenat mund të kthehen në rrugën e duhur rreth mesditës. /InLajmi/