Deputetja dhe artistja Eliza Hoxha, ka hapur dje ekspozitën “Paralel” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku kjo ekspozitë është si një dokumentim i shqiptarëve në vitet e 90-ta, shkruan InLajmi.
Kjo ekspozitë e cila ka për tematikë të trajtojë situatat e vështira për shqiptarët në vitet e 90-ta, duke pasur në fokus demonstratat, luftën, pjesën e pasluftës pastaj të pagjeturit, të dhunuarat e luftës, thënë shkurt vuajtjet e shqiptarëve përgjatë këtyre viteve.
Hoxha ka sjellë pjesën e fotografive që i ka bërë ajo vet, gjatë periudhës sa ka qenë asokohe edhe reportere në gazetat e vendit, rrugëtim ky personal i të 90-tave dhe reflektim e interpretim i pasojave të luftës.
Naim Spahiu, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ka thënë se me këtë ekspozitë po e përmbyllim një vit të sukseshëm në galerinë kombëtare, me ekspozitën e Eliza Hoxhës. Kjo ekspozitë sipas tij na hap sytë kohë pas kohe, duke qenë se janë një hulumtim dhe dokumentim i vetë autores si artiste, të para nga syri saj gjatë situatës së vështirë të viteve të 90-ta.
Kjo ekspozitë përmban fotografi dokumentare, video, instalacione dhe sipas Spahiut është një ekspozitë mjaft e begatshme, që ia vlen të vijnë qytetarët ta shohin dhe ta përjetojnë. /InLajmi/