Nxënësit e gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë nuk kanë mbajtur sot mësim, teksa kanë protestuar pas dyshimeve për një rast ngacmimi seksual në këtë shkollë, përcjell InLajmi.
Policia e Kosovës një ditë më parë ka njoftuar se e ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.
“Në stacionin policor Malishevë më datë 20.12.2021 rreth orës 21:30 është paraqitur ankuesi dhe ka raportuar një rast të sulmit seksual që kishte ndodhur ndaj vajzës së tij të mitur. Sipas ankuesit rasti kishte ndodhur më datë 16.12.2021 në ambientet e Gjimnazit ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, ku vajza e tij vijon mësimet si nxënëse e kësaj shkolle”.
Nga policia thonë se rasti ka ndodhur në njërën prej tualeteve të shkollës.
“Ngacmimi seksual dyshohet të jetë bërë nga ana e personit i cili në këtë shkollë mban pozitën e zëvendësdrejtorit. Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur në njërën prej tualeteve të kësaj shkolle, kur viktima ishte brenda në tualet dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën. Hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave të tjera dhe për zhvillime të mëtejme ju njoftojmë me raport shtesë”./InLajmi/