Sindikata e Policisë së Kosovës i kanë dërguar një letër ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që për fundvit punonjësit e policisë të marrin si shpërblim një shumë ekuivalente të një page mujore, përcjell InLajmi.
‘’Këtë kërkesë e arsyetojnë punonjësit e Policisë së Kosovës, pasi që janë bartësit kryesor për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe në veçanti janë të kyçur direkt në Ligjin për parandalimin e koronavirusit e që për vitin 2021 nuk kanë marrë asnjë shtesë edhe pse me Ligj ka qenë e paraparë’’, thuhet në letrën e tyre.
Letra e plotë e Policisë së Kosovës pa ndërhyrje:
I nderuar z.Xhelal Sveçla-Ministër i MPB-së
Duke pas parasysh përkushtimin e Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021, në angazhimet e tyre në punët e përditshme si dhe në angazhimet shtesë të planeve të ndryshme operative, si COVID 19 dhe operacioneve tjera, ku janë duke e dëshmuar punën e tyre profesionale dhe përkushtimin pavarësisht sfidave me të cilat përballen duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Andaj kërkojmë nga Ju i nderuar z. Xhelal Sveçla-Ministër I MPB-së dhe nga Qeveria e Juaj, që për këtë fund vit të shpërblehen punonjësit e Policisë së Kosovës me një shumë ekuivalente të një page mujore, e cila sado pak do t’ju ndihmonte dhe do të ishte një shpërblim për punën e tyre të jashtëzakonshme.
Këtë kërkesë e arsyetojnë punonjësit e Policisë së Kosovës, pasi që janë bartësit kryesor për sigurinë e Republikës së Kosovës dhe në veçanti janë të kyçur direkt në Ligjin për parandalimin e pandemisë COVD 19 e që për vitin 2021 nuk kanë marr asnjë shtesë edhe pse me Ligj ka qenë e paraparë.
Andaj, i nderuar Ministër i MPB-së mbesim më shpresë se do t’a realizoni kërkesën tonë pa dallim për të gjithë Zyrtarët Policor dhe Stafin civil në Policinë e Kosovës./InLajmi/