Faza e 2-të e hidrosistemit Ibër-Lepenc po fillon të jetësohet drejt një zgjidhje përfundimtare të problemit me ujë për gjysmën e Kosovës, përcjell InLajmi.
Pas aprovimit të grantit për zhvillimin e dizajnit preliminar dhe vlerësimit mjedisor dhe social për digën e Friajës, në vlerë prej 1.8 Milion€ nga WBIF, sot në ambientet e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), u mbajt takimi në mes të përfaqësuesve të institucioneve përfituese për përgatitjen e kornizës institucionale për zbatimin e këtij projekti.
“Studimi i Fizibilitetit për Ndërtimin e Kanalit të Lepencit dhe Digave të Shtimes dhe Firajës”, rekomandoi një qasje në 2 faza për zbatimin e projektit (fazës së 2-të të Ibër Lepencit).
Faza e parë, siguron ujë për nevojën urgjente për ujë të pijshëm për 400.000 banorë në zonën e projektit, dhe Faza e 2-të (deri më 2031), fokusohet kryesisht në zhvillimin e bujqësisë. Faza e parë përfshin ndërtimin e Digës devijuese të Firajës së Poshtme dhe rrjetit përcjellës të tubacioneve të ujit në zonat e shërbimit të tre KRU-ve (Prishtina, Bifurkacioni dhe Hidromorava).
Kjo fazë parashikohet të përfundoj gjatë viteve 2025-2026 dhe llogaritet të kushtoj rreth 49.2 milion €.
Faza e 2-të përfshin ndërtimin e Digës së Epërme të Shtimes dhe kanaleve të transferimit dhe transportit të ujit për qëllime të ujitjes.
Faza e 2-të llogaritet të kushtoj rreth 332.2 milion €.
Objektivi kryesor i projektit (fazë së parë – Digës së Firajës) është të adresojë mungesat e vazhdueshme të ujit dhe të përmbushë nevojat e furnizimit me ujë për banorët dhe industrinë e 9 komunave duke përfshirë Ferizajn, Gjilanin, Kaçanikun, Shtimen, Lipjanin, Vitin, Kamenicën, Kllokotin dhe Shtërpcen.
Për më shumë, projekti ka këto synime:
-Sigurimi i ujit për pjesën e Kosovës me “stres ujor”;
-Rritja e potencialit të zhvillimit industrial/tregtar për shkak të ofrimit të furnizimit adekuat dhe të besueshëm 24-orësh me ujë;
-Potenciali për zhvillimin e deri në 20.000 hektarë tokë bujqësore të ujitura (me fazën e dytë); si dhe
-Zhvillimi i potencialit hidroenergjetik të digave të propozuara për të kontribuar në burimet e ripërtërishme të energjisë së vendit. /InLajmi/




















