Policia në Shqipëri, ka shoqëruar 8 persona në polici për shkak të incidenteve që ndodhën gjatë protestës të ditës së djeshme.
2 nga 8 personat e shoqëruar janë arrestuar ndërsa 6 të tjerë që janë minorenë janë proceduar në gjendje të lirë. 2 të arrestuarit janë identifikuar si Astrit Cara, 41 vjeç, banues në Tiranë, dhe Besnik Balani, 56 vjeç, banues në Krujë. 6 të miturit e moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës.
Kujtojmë se në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, disa të rinj morën flamujt serb nga shtyllat para kryeministrisë për t’i vënë flakën.
Personat e shoqëruar, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, kanë djegur 4 flamuj kombëtar të Serbisë, përcjell Top Channel.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.