Punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës janë duke protestuar sot para Divizionit të Termocentralit “Kosova B”.
Njëri nga organizatorët, Nexhat Llumnica, nënkryetar i sindikatës së re të korporatës energjetike të Kosovës, ka thënë që i kanë adresuar kërkesat e tyre, por që deri më tani nuk janë marrë parasysh.
Llumnica u shpreh se kërkesat kryesore janë që Sigurimi shëndetësor të bëhet për afat njëvjecar e jo për çdo 3 muaj sikurse është tani, dhe të zbatohet Marrëveshja Kolektive, Sektoriale.
“Ne kemi adresuar disa kërkesa që 2 vjet, që të respektohet ligji i punës ashtu sic është i përcaktuar, shteti i Kosovës përcakton ligje, kurse në ndërmarrjet më të fuqishme publike duhet të protestohet për respektim të ligjit”.
“Ne kemi realizuar planin mbi 100%, 116% të vitit në nëntor kemi tejkaluar planin e këtij viti ‘Kosova B’, dhe divizione tjera kanë tejkaluar planin, në marrëveshjen e përgjithshme kolektive neve na takon edhe paga e 13-të”, përcjell Klan Kosova.
“Nuk njihen pushimet vjetore me vende me rrezikshmëri, që duhet të jenë 30 ditë pushim vjetor. Nuk bëhet marrëveshja kolektive, e vetmja ndërmarrje publike që ka marrëveshje kolektive në nivel të ndërmarrjeve është KEK-u edhe pse KEK është ndërmarrja më gjigante në Kosovë, ma e fuqishmja edhe financiarisht edhe me prodhim”, u shpreh Llumnica.