Një pjesë e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” po përballet me mungesën e ngrohjes nëpër sallat e ligjëratave.
L.M., studente në Departamentin e Matematikës në këtë fakultet, ka treguar se që nga momenti kur ka pasur ulje të temperaturave, e kanë këtë problem.
“Problemi është se nga momenti që ka filluar të ftohet koha në FSHMN, në katin e parë edhe në katin e 3-të ku është Departamenti i Matematikës nuk i lëshojnë nxemjet, e kam shikuar katin e 2-të që është i filologjikut, të gjitha janë të lëshuara si dhe kam rastis nëpër banjot që i kanë ndërtu tani të reja vetëm në pjesët ku janë drejtimet shkencore nuk ka ujë të nxehtë e në filologjik po”, tha ajo.
Tutje, ajo theksoi se për këtë problem kanë bërë edhe ankesë në Këshillin Studentor – por që kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Kam shkuar edhe në Departament të Fizikës edhe ata ishin me nxemje të lëshuara por te i Matematikes jo. Fakti që as nuk kemi salla të mjaftueshme ku Departamenti i Biologjisë është në bodrum të Filologjikut në atë mjerim, në katin e parë është një pjesë si koridor i madh me karrika dhe banka ku rrijnë studentët të mësojnë sepse nuk kemi vend tjetër aty janë disa nxemje po asnjëra nuk punon”.
“Nuk e kuptova pse kur 2 fakultetet janë të kapura në filologjik edhe me kalu nëpër koridoret e tyre janë të lëshuara e tek ne jo. E bëra ankesën edhe te Këshilli Studentor i FSHMN-së, por përsëri njëjtë”, theksoi ajo.
Redaksia ka dërguar pyetje në njësinë përkatëse akademike lidhur me këtë çështje, por që përgjigje nuk ka pasur.
Po ashtu, studentja e UP-së është ankuar edhe për punimet lidhur me furnizim të ngrohjes pasi që thotë se ato tashmë i kanë lënë në gjysmë.
“Erdhën kinse për t’i rregulluar nxemjet edhe vetëm i kanë hapur vendet, e kanë lënë të tillë që 2 javë ndoshta i ka”, shtoi ajo për Shqip.com.