Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka njoftuar se ka dëgjuar rrëfimin e një gruaje viktimë e dhunës në familje nga ish-bashkëshorti ku në të njëjtën kohë i njëjti ka ngacmuar seksualisht vajzën e viktimës, që në atë kohë ishte e mitur, përcjell InLajmi.
Haxhiu tha se përkundër faktit që rasti ishte raportuar nga viktima para 10 viteve, ky rast është neglizhuar nga organet kompetente, dhe që akoma nuk ka drejtësi për gruan dhe fëmijët e saj.
Tutje ajo ka shtuar se raste si ky që drejtësia vonon në zbardhjen e tyre, duhet të flitet për to, të dëgjohen dhe të reagohet në kohë ndaj këtyre rasteve.
Postimi i plotë i saj:
Të trishta janë rrëfimet e grave të mbijetuara të dhunës në familje.
Sot, patëm rastin të dëgjojmë rrëfimin e një gruaje, viktimë e dhunës në familje, e cila përveç përjtimeve të saja, na njoftoi edhe me ngacmimin seksual ndaj vajzës së saj, aso kohe e mitur, që i ishte bërë nga ish bashkëshorti!
Përpjekja e viktimës për drejtësi u përcoll me neglizhencë dhe papërgjegjësi ku përveç që ishte viktimë e dhunës ajo dhe fëmijët e saj, ishin viktimë e sistemit sepse edhe përkundër faktit që rasti në fjalë ishte raportuar rreth 10 vite më parë, ende nuk ka drejtësi për gruan dhe fëmijët e saj.
Raste si ky, kur drejtësia vonon, janë dhunim për së dyti i viktimave dhe sjellin situata ku viktimat hezitojnë të raportojnë dhunën prandaj thërras në veprime të menjëhershme në raport me këto raste!
Duhet të flasim e dëgjojmë përjetimet e trishta të viktimave deri sa të ketë reagime serioze dhe në kohë ndaj këtyre rasteve! /InLajmi/