Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) sot edhe zyrtarisht lanson sistemin INSUREX një inovacion në Industrinë e Sigurimeve në vendin tonë, përcjell InLajmi.
Gjatë prezantimit të sistemit, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku ka thënë se prej sot, Byroja Kosovare e Sigurimit, në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve dhe kompaninë Quantix (si zhvilluese e softuerit), kalojnë në sistemin e ri informativ të lëshimit të policave të detyrueshme ligjore TPL dhe TPL Plus dhe menaxhimit të dëmeve respektive.
“Sistemi i ri elektronik, vjen si rrjedhojë e natyrshme e riorganizimit të byrosë, me qëllim të promovimit, avancimit dhe hapjes së mëtutjeshme të Industrisë së Sigurimeve. Në kuadër të këtij riorganizimi është krijuar funksionalizuar edhe Qendra Informative, e cila do të merret me menaxhimin e sistemeve elektronike dhe avancimin e agjendës digjitale, me qëllim të ofrimit sa më të mirë të shërbimeve të sigurimit për industrinë dhe qytetarët” , ka thënë drejtori Mazreku.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pas më shumë se një viti zhvillimi intenziv të sistemit, të dhjetëra takimeve dhe grupeve punuese nga kompania implementuese, industria e sigurimeve, Byroja Kosovare e Sigurimit si dhe institucionet relevante të Republikës së Kosovës, si QRA – Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencioni Kadastral të Kosovës dhe të tjera.
“Ne vijmë me një sistem modern elektronik, të zhvilluar me metodologjitë dhe teknologjitë më moderne të kohës, i bazuar në ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare për mbrojtjen e informacionit, privatësisë dhe sigurisë së lartë, i cili do të na lejoj të punojmë më shpejtë e më shumë në drejtim të avancimit të tregut të sigurimeve në vend”, tha ai.
Ndryshe, në fund ka bërë të ditur se gjatë vitit 2022 do të ketë edhe shumë risi që për qëllim kanë lehtësimin e punës si për qytetarët, ashtu edhe për Industrinë e Sigurimeve në Kosovë. /InLajmi/