Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi ka thënë se rreziku i lartë për një valë të re gjatë javëve në vijim është i mundur, prandaj na duhet të rrisim vigjilencën tonë, përcjell InLajmi.
Në njoftimin e tyre thuhet se pritja e mërgimtarëve tanë do të bëhet si gjithmonë por kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë.
Gjithashtu javëve të fundit në shumë vende është shfaqur varianti i ri, Omicron, i virusit Corona, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti.
‘’Ministria e Shëndetësisë angazhohet që në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken fillimisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës do të i propozohen masat e reja lehtësuese, gjithmonë pa e rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve’’, thuhet tutje në njoftim.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Shëndetësisë:
Të dashur qytetarë,
Dhjetori na gjen me situatën epidemiologjike relativisht të qetë, mirëpo nën rrezikun e lartë për një valë të re gjatë javëve në vijim, gjë që na detyron përsëri të rrisim vigjilencën tonë.
Si gjithnjë, do t’i mirëpresim mërgimtarët tanë, sepse janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, megjithëse edhe kësaj radhe do të na duhet të kufizohemi nga manifestimet masive, sepse paraqesin rrezik të lartë në këtë situatë.
Dhe, më e rëndësishme, javëve të fundit në shumë vende është shfaqur varianti i ri, Omicron, i virusit Corona, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar si “variant shqetësues” dhe ka paralajmëruar mundësinë e “pasojave të rënda” nga valët e shkaktuara prej këtij varianti.
Për shkak se këto rreziqe mund të fillojnë të shfaqen brenda ditësh, zbatimi më efikas i masave është jo vetëm i domosdoshëm, por dhe çështje urgjente.
Ndërkohë që secili nga ne të zbatoj masat, le të inkurajojmë njëri tjetrin për t’u vaksinuar me të dy dozat, e kur të iu vie radha edhe dozën përforcuese/të tretë. Tashmë është shumë lehtë: pa termin, kudo dhe pavarësisht vendbanimit e shtetësisë.
Ministria e Shëndetësisë nuk njeh detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion.
Për këtë arsye janë ndërmarrur masat kufizuese, edhe brenda vendit, edhe në pikat kufitare, duke marrë parasysh rreziqet e lartpërmendura.
Megjithatë, jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja të analizës epidemiologjike dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, mbi të cilat ne do të përditësojmë masat, konform situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.
Në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë angazhohet që në momentin e parë që rreziqet e lartpërmendura zbuten, apo dalin të jenë më pak serioze sesa po duken fillimisht, Qeverisë së Republikës së Kosovës do të i propozohen masat e reja lehtësuese, gjithmonë pa e rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
“Bashkë ia dalim” është sllogani i fushatës së vaksinimit, dhe besojmë që përgjithësisht në përballjen me Covid-19 ja dalim vetëm bashkë, pasi që para së gjithash ne jemi këtu për të mbrojtur shëndetin publik dhe jetën e secilit qytetar nga rreziku që vie nga Covid-19, andaj një përpjekje e përbashkët e qytetarëve dhe veprimtarive socio-ekononomike në zbatimin e masave aktuale antiCovid e lehtëson ndërmarrjen e lirimit eventual të masave në funksion të veprimit më dinamik të ekonomisë dhe jetës sociale./InLajmi/