Presidentja Vjosa Osmani në fjalim e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur për angazhimin e saj si udhëheqëse e politikës së jashtme përgjatë vitit 2021, raporton InLajmi.
Osmani tha se ne ndihemi të lumtur që Kosova është projekti më i suksesshëm dhe më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane.
“Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pas nesh. Kosova është një shtet që e meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë sepse ajo këtë vit e ka dëshmuar që është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme prandaj pata nderin që me krenari ta prezantoj vendin tonë si një shembull dhe një model i një demokracie të suksesshme në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden. Vendi ynë mbetet i palëkundur në orientimin euro-atlantik”, tha Osmani.
Tutje Osmani ka folur edhe në lidhje me pandeminë Covid-19, duke falënderuar presidentin amerikan Joe Biden.
“Ndihma më e madhe na erdhi nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden duke na dhuruar gjysmë milioni vaksina. Duke i falënderuar qytetarët i lus ata që ta marrin edhe dozën e 3 që njihet si doza përforcuese. Sikur shumë herë gjatë historisë ne gjejmë forcë për të qëndruar së bashku për të mirën e Republikës”, tha Osmani.
Osmani ritheksoi lutjen e saj për qytetarët që të vaksinohen.
‘’I lus qytetarët që të vaksinohen me dozën e 3 e cila është e vetmja mënyrë për ta mbrojtur shëndetin’’, deklaroi ajo./InLajmi/