Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët të cilët votuan buxhetin e Qeverisë që ai drejton për vitin 2022, përcjell InLajmi.
Kurti ka bërë të ditur se ky do të jetë buxheti i zhvillimit, sepse 40 milionë euro sipas tij do mbështesin prodhuesit vendorë, 40milionë euro tjera në ringritjen e2 ndërmarrjeve publike atë të Trepçës dhe Telekomin, më 70 milionë euro do ndihmohet bujqësia ndërsa 20 milionë euro janë ndarë për të rinjtë për t’iu siguruar punësim.
Ai tha se 45 milionë euro janë ndarë për lehona dhe fëmijë, 35 milionë për pensionet që ato mos të mbetën nën 100 euro, dhe familjet me asistencë sociale ku 30% është bërë i përhershëm.
Dhe se fundmi ka cekur 700 milionë të cilët janë adresuar të investohen në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë dhe siguri.
Postimi i plotë i tij:
Falënderoj të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë sonë për vitin 2022.
Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet.
Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme.
Ky është buxhet i investimeve sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri.
Na priftë e mbara! /InLajmi/