Fjolla Ujkani, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar gjuhën e përdorur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushataku lidhur me amendamentin për rregullimin e ujësjellësit në Skenderaj, raporton InLajmi.
Ujkani ka thënë se regjioni i Mitrovicës ka mbetur pa ujë të ujësjellësit për shkak të qeverisjes së PDK-së për 20 vite, e jo për faj të Qeverisë “Kurti”.
“Gjuha dhe adresimi i tij është i papranueshëm që del dhe e akuzon Qeverinë Kurti pse nuk ka ujë në regjionin e Mitrovicës. Nuk ka ujë në të regjion për shkak që gjatë këtyre viteve ju keni praktiku politika të tillë që regjionin e Mitrovicës e keni lënë pa ujë. E kemi rastin e ndërtimit të fabrikës së ujit në Vushtrri që 20 vite, pas luftës ende nuk është funksionalizuar dhe nuk është shtrirë rrejti i ujit të ujësjellësit. Ndërtimi i asaj fabrike është bërë pa asnjë kriter”, ka thënë ajo.
Deputetja e LVV-së ka thënë se përveç Skenderajt, problem me ujë ka edhe në Vushtrri dhe në Mitrovicë.
“Njëjtë ka ndodhur edhe në komunën e Mitrovicës edhe të Skenderajt ku keni qenë ju në udhëheqje dhe asnjëherë nuk keni menduar se si me furnizua të paktën me gjëra esenciale dhe që të pajisen qytetarët e regjionit të Mitrovicës dhe ujë të pijshëm”, ka thënë ajo. /InLajmi/




















