Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për 300 të dënuar, përcjell InLajmi.
Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Në njoftim thuhet se si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme.
Nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi. Institucionet daneze kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet në këtë drejtim. Kjo është quajtur mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt 2 shteteve, duke thelluar partneritetin strategjik.
Nënshkrimi i letër-qëllimit, shprehja e vullnetit, mes të 2 palëve, pritet të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës. Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë 10 vjeçare./InLajmi/