Një qytetar i pastrehë, tash e një javë ka “uzurpuar” një hapësirë në brenda Spitalit Rajonal të Mitrovicës, në repartin e Radiologjisë
Në këtë hapësirë ku është vendosur, ushqehet e kryen nevojat fiziologjike, dhe vendi tashmë po kundërmon nga erërat.
Qytetari nuk ka probleme shëndetësore dhe kjo është konstatuar edhe nga mjekët të cilët ia kanë bërë të gjitha ekzaminimet mjekësore.
Doktori mjekësor në këtë spital, Naser Jashari, e ka konfirmuar rastin derisa ka treguar se ky qytetar po qëndron në korridorin e Repartit të Radiologjisë dhe sipas tij, atë në spital e ka sjellë Policia.
Jashari tha se Policinë e kanë kontaktuar gati 10 herë dhe nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas tij, këta të fundit e sollën këtë të pastrehë që t’i bëjnë strehë në spital.
“Pacienti faktikisht nuk është i vendosur në repart, për shkak se nuk është pacient i joni fare, është njeri i pastrehë të cilin e ka sjell policia dhe e ka lënë në spital këtu. Pacienti nuk është i sëmurë, i kemi bërë të gjitha ekzaminimet tona, dhe ka dalë që nuk është për hospitalizim për asnjë repart, edhe faktikisht një person që është i pastrehë, po dëshirojnë t’i gjejnë strehë në spitalin tonë”, tha ai
Policia e mohon se ata e kanë sjell në spital këtë qytetar.
Thotë se atë rast Policia e referoi te Qendra për Punë Sociale dhe këta të fundit e kanë dërguar në spital.
“Ai rast ka ndodh para një jave. Policia e ka referu Qendrën për Punë Sociale, ata e kanë marrë personin edhe e ka dërgu në spital. Si rast polica ia ka referuar Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, pyetni ata se çfarë kanë ndërmarrë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti
Por doktori thotë të kundërtën.
Insiston se Policia e la atë në derë të spitalit, në gjendje të mjerueshme.
“Nja 10 herë, jo 10 mos te teproj, por çdo ditë është thirr policia, është njoftuar komandanti i policisë, policia e ka pru e ka lënë në derë dhe nuk e ka marrë më, janë njoftu institucione tjera dhe askush nuk është marrë me këtë rast. E kanë lënë pacientin në gjendje të mjerueshme, në korridor në Repartit të Radiologjisë. Aty kryen nevojat, aty ushqehet, aty normal si i ushqejnë dhe ujë i jepin, nuk është pacient i joni, vetëm e kanë pru, na nuk jemi institucion për të pastrehë”, tha doktori Naser Jashari
Nga Qendra për Punë Sociale thonë se nesër do të shkojnë ta marrin nga Spitali këtë qytetarë të pastrehë dhe ta dërgojnë më pas tek një qytetar tjetër ku kishte qëndruar më herët, ngase familja e ka larguar dhe nuk përkujdesën për të.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, Gani Mustafa, i kontaktuar nga Front Online, tha se qytetari ka nevojë për ekzaminim mjekësorë sepse nuk mund të ngrihet nga shtrati.
Ai tha se ky qytetar i pastrehë do të dërgohet nesër për ekzaminim dhe më pas do të kthehet tek qytetari që e strehoi në podrumin e shtëpisë së tij, e që e ka kushëri.
“Ne si Qendër po i bëjmë të gjitha përpjekjet tona që të mund t’i gjejmë zgjidhje atij. Nesër në mëngjes e marrim atë person herët edhe kemi me dërgu me bë raportin për të, edhe ju thash që nesër vijmë e marrim për shkak se ai është i pastrehë, ka qëndruar në një podrum te një qytetari edhe nuk e di qysh mundet të thotë ai është mirë kur njeriu nuk mundet me lëviz nga vendi edhe konform kompetencave që i kemi edhe mundësive që i kemi si qendër për shkak se nuk kem as buxhet tonin, problemi më i madh është se nuk kemi një fond të veçantë për t’i trajtuar këto raste”,tha ai për Front Online.
Ai tha se në nivelin qendror me legjislacionin në fuqi duhet t’i përgatisin dokumentin bazë dhe pasi ta përgatisim dokumentacionin bazë atëherë dërgohet në ministri dhe ministria e trajton çështjen.