Mitsunori Ogasawara, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë vizitoi Prizrenin për dorëzimin e një buldozeri për Komunën e Dragashit, përcjell InLajmi.
Ky është kontigjenti i 2-të i Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social i nënshkruar në shkurt 2019 për shumën prej 2.04 milionë euro. Ky program është ofruar për shënimin e 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Japoni – Kosovë.
Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe Burim Shala, Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë “Ekorajoni”, Hysen Durmishi, Zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Shaban Shabani, Kryetar i Komunës së Dragashit dhe kolegë nga MMPHI dhe KRU Ekoregjioni – Prizren.
Qëllimi i Programit është të forcojë kapacitetet e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave në 4 komuna, Suharekë, Rahovec, Malishevë dhe Dragash me qëllim të përmirësimit të mjedisit jetësor të qytetarëve në rajonin e Prizrenit. Buldozeri i cili u dorëzua sot do të përdoret në deponinë e Komunës së Dragashit për menaxhim të qëndrueshëm.
Japonia ka qenë dhe do të vazhdojë të mbështesë qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të administruar jetë cilësore për popullatën e Kosovës. /InLajmi/