Zoran Zaev beson se një ndër sukseset që e presin si kryeministër Dimitar Kovaçevskin është marrja e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Zaev deklaroi se në bisedimet e deritanishme me kryeministrin e ri të Bullgarisë, është theksuar se brenda 6 muajve duhet të përmbyllet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes, transmeton Alsatm.
“Atë çfarë kemi biseduar me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov është se kjo duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 muaj. Jemi pajtuar se duhet të formojmë edhe grupe punuese për energjetikë, infrastrukturë, ekonomi, kulturë, shëndetësi, dhe gjithçka çka është me rëndësi që të mund të krijojmë ambient, që të tejkalohen këto çështje”, tha mes tjerash Zaev.