Në mesnatë përfundon afati 15 ditor për votim nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet për Kryetar të Komunës së Dragashit.
Ky votim, i cili është përsëritur vetëm për 1.090 votuesit nga jashtë Kosovës dhe të cilët i kanë takuar komunës së Dragashit, pritet të përcaktojë se kush do të jetë kryetari i kësaj komune.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Ekonomia Online se deri të hënën në orën 14:30, janë pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime dhe se numërimi i tyre pritet të bëhet të martën, në prezencë të vëzhguesve dhe mediave.
“Sonte në mesnatë do të përfundojë afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Deri të hënën, në orën 14:00, KQZ ka pranuar 381 pako të supozuara me fletëvotime”.
“Pas procesit të vlerësimit të të gjitha fletëvotimeve që do të pranohen, gjatë ditës së martë, KQZ-ja do të bëjë numërimin e tyre në prezencë të vëzhguesve dhe të mediave”, tha Elezi.
Zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Dragashit janë të vetmet që nuk janë përmbyllur akoma, pasi Gjykata Supreme vendosi përsëritjen e votimit jashtë Kosovës për votuesit e kësaj komune.
Më herët, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet për kryetarë të 37 Komunave dhe rezultatet për 38 Kuvende Komunale.
Shumë nga Kuvendet Komunale kanë mbajtur seancat inauguruse dhe shumë prej Kryetarëve të Komunave kanë marrë detyrën.