Gjatë natës pritet të ketë shtim të vranësirave me reshje shiu, shqote e bore varësisht nga temperaturat në ato momente kur ajri i lagësht transformohet në reshje atmosferike. Në jug të Shqipërisë priten rrebeshe mjaft të fuqishme shiu dhe reshje mjaft të dendura.
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Në viset kodrinore-malore priten reshje bore. Në mëngjes dhe mbrëmje reshje bore priten edhe në disa ultësira të Republikës së Kosovës. Vende-vende priten reshje të dendura bore në mbrëmje dhe gjatë natës tjetër sidomos në viset kodrinore-malore dhe disa ultësira.
Edhe në Maqedoninë Veriore, Luginë dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të shpeshta shiu. Në viset malore reshje bore. Vende-vende priten reshje intensive.
Të dielën na pret mot i ftohtë dhe me reshje lokale kryesisht të borës. Nuk duhet pritur shumë reshje bore nëpër ultësira. Në Shqipëri priten reshje lokale po jo të intensitet të lartë, shkruan Meteo Ballkan.
Nga e hëna na pret mot i ftohtë dhe kryesisht pa reshje atmosferike. Netët dhe mëngjeset pritet të jenë me acar, ndërsa vetëm në disa rajone kontinentale priten reshje ose rrebeshe të herëpashershme afatshkurtra bore.
