Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët, përmes së cilës kanë treguar se me 15 dhejtor do të dalin në protestë para Qeverisë së Kosovës, raporton InLajmi.
Sipas tyre kjo protestë do të bëhet për shkak të mosmbështetjes financiare, mohimit të të drejtës për të punuar dhe mosgatishmërisë për takime dhe gjetje të zgjidhjes nga Qeveria e Kosovës.
Nga të 2 shoqata përfaqësuesit e tyre kanë thënë se protesta do të nisë në orën 13:00 para qeverisë, pasi ajo i ka burgosur dhe nuk po u jep bukë.
Arian Vranica, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ka thënë se pas shumë tentativave për t’i shfrytëzuar rrugët demokratike lidhur me kërkesat e tyre dhe mungesa e një strategjie të Qeverisë së Kosovës për t’i ndihmuar gastronomisë, janë detyruar që të organizojnë protestë.
“Mospasja e një vizioni dhe një strategjie nga ana e Qeverisë së Kosovës, në raport me gastronominë, neve na ka imponuar që t’i shfrytëzojmë rrugët demokratike, pra organizimin e protestës, të cilën e kemi paralajmëruar me datë 15 dhjetor, në orën 13:00 para qeverisë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Hysen Sogojeva, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka thënë se po përgatitën për këtë protestë.
“Kjo protestë nuk është me dëshirën tonë, por është imponuar për arsye se i kemi shterur të gjitha mundësitë që të vazhdojmë bisedimet me qeverinë dhe ministritë përkatëse, por kemi hasur në vesh të shurdhër dhe na është imponuar kjo protestë, kështu që ftoj të gjithë bizneset që i përkasin fushës së hotelerisë dhe turizmit që të na bashkohen, estrada të na bashkohet, përfaqësues të sallave të dasmave, përfaqësues të këtij sektori”, ka thënë ai.
Sipas Sogojevës, këta sektorë kanë qenë më të atakuarit gjatë kohës së pandemisë.
“Ne edhe ndihmat, do të thotë edhe ato që është dashur prej 420 milionë eurove, as që ka filluar, prandaj nuk është çështja vetëm e zgjatjes së orarit, orës policore ose hapja e ahengjeve, por edhe shumë faktorë tjerë kanë ndikuar që të marrim këtë hap,” tha ai. /InLajmi/