Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, takoi sot Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë, Mirjana Spoljaric Egger, përcjell InLajmi.
Në takim bëhet e ditur se u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kuvendit dhe UNDP-së, si dhe për planet e projektet e ardhshme që pritet të realizohen.
“Gjithnjë në frymën e forcimit të partneritetit, u shtrua nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit të Kuvendit me parlamentet e vendeve tjera, në veçanti për zhvillim të qëndrueshëm dhe fusha të tjera në interes të vendit” thuhej në një njoftim për media të Drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit.
Tutje bëhej e ditur se Spoljaric Egger, konfirmoi përkushtimin e UNDP për vazhdimin e bashkëpunimit të afërt me institucionet e Kosovës.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me deputetet Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Fitore Pacolli dhe këshilltaren Arbenita Mjekiqi, ka pritur sot në takim Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, njëherësh ndihmës administratore e UNDP dhe Drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura (CIS), e cila shoqërohej nga Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Kosovë, Tahmina Anvarova, specialiste e Strategjisë dhe Partneriteteve të UNDP në RBEC dhe Marta K. Gazidedën, zëvendëskordinatore e programit të UNDP në Kosovë.”
Konjufca gjithashtu shprehu gatishmërinë për bashkërendimin dhe thellimin e partneritetit të ndërsjellë./InLajmi/