Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se Qeveria ka ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës, raporton InLajmi.
Aliu ka sqaruar se ky projekt është në rrugë të duhur.
“Dokumenti i Memorandumit të mirëkuptimit në takimin e 2 qeverive me ç’rast bashkë me ministren Belinda Balluku kemi nënshkruar këtë document. Pas vizitave që patëm në Itali e që lidhet drejtpërdrejt me portin e Durrësit dhe mundësitë që mund të sjellë kjo hekurudhë për vendin tonë. Morëm sinjale pozitive do të mund të them që ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku mund të fillojmë për hartimin e një plani të saktë dhe do të na jep edhe afate kohore dhe financiare që mund të përfundojë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se detyrë e institucioneve është që të shtyjnë hapjen e korridoreve të tjera që Kosova të bëhet pjesë.
“Kemi ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit të trasesë për hekurudhën dhe pas përcaktimit se ku lidhet në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ne mund të kemi edhe detaje të tjera të këtij projekti. Detyrë e jona është të shtyjmë para hapjen e korridoreve të tjera që Kosova të bëhet pjesë”, tha ai