Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, zhvilloi takim të përzemërt me homologun bullgar, zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, Atanas Pekanov, me të cilin diskutoi mbi raportet bilaterale si dhe për potencialin që ekziston për thellimin e tyre, përcjell InLajmi.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministrja Rexhepi e falënderoi zëvendëskryeministrin Pekanov për përkrahjen e vazhdueshme të Bullgarisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, përkrahjes për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin dhe ekspertizën e ofruar në procesin e integrimit europian.
Rexhepi vuri theksin në nevojën për përkrahje edhe më të fuqishme të Bullgarisë për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave përmes lobimit tek vendet anëtare, duke nënvizuar se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara si dhe ka shënuar progres evident në fushën e sundimit të ligjit.
Zëvendëskryeministri Pekanov shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyeshëm të raporteve të ndërsjella, duke shtuar se aktualisht nuk ekziston asnjë gjë që na ndan, përkundrazi të dyja palët shohin potencial të madh për thellim të raporteve në nivelin më të lartë institucional, rritje të shkëmbimeve ekonomike, kulturore, e në veçanti në turizëm.
Tutje Pekanov shprehu keqardhje për pamundësinë e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës në zonën Shengen dhe se kjo padrejtësi duhet të përfundojë sa më parë.
Ai gjithashtu, konfirmoi se Bullgaria do të vazhdojë të jetë një prej avokuesve kryesor në procesin e integrimit europian të Republikës së Kosovës, veçanërisht në përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave.
Në fund, zëvendëskryeministrja Rexhepi përmendi disa prej angazhimeve dhe aktiviteteve në vazhdim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Sofje, drejt krijimit të platformave në funksion të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë./InLajmi/