Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka komentuar deklaratën e Kurtit mbi nevojën e ndryshimit të udhëheqjes së sindikatave, duke e quajtur totalitare, përcjell InLajmi.
“Një mendësi totalitare nuk e do pushtetin për të qeverisur, por për të kontrolluar. Jo vetëm qeverinë dhe agjencionet qeveritare; jo vetëm institucionet në tërësi, përfshirë gjykatat dhe institucionet e pavarura; por, mbi të gjitha, për të kontrolluar shoqërinë”, tha ai.
Sipas Molliqajt sindikatat mund të kenë nevojë për ndryshim, por kjo është çështje e punëtorëve dhe aspak e qeverisë.
Në fund Molliqaj thekson se pas kontrollit shoqëror, paranoja do ta shohë rrezikun edhe në ëndrrat tona. Si dhe duke ironizuar thotë “do të na duhet t’i lajmërojmë ato në Tabir Sarajin e Albin Kurtit”.
Postimi i plotë i tij:
Një mendësi totalitare nuk e do pushtetin për të qeverisur, por për të kontrolluar. Jo vetëm qeverinë dhe agjencionet qeveritare; jo vetëm institucionet në tërësi, përfshirë gjykatat dhe institucionet e pavarura; por, mbi të gjitha, për të kontrolluar shoqërinë.
Deklarata e Kurtit mbi nevojën e ndryshimit të udhëheqjes së sindikatave nuk janë asgjë më pak se ambicie totalitare. Sindikatat mund të kenë nevojë për ndryshim, por kjo është çështje e punëtorëve dhe aspak e Qeverisë.
Pas kontrollit shoqëror, paranoja do ta shohë rrezikun edhe në ëndrrat tona. Do të na duhet t’i lajmërojmë ato në Tabir Sarajin e Albin Kurtit. /InLajmi/